Raporti i OSBE/ODIHR, Meta: Konstatoi se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira dhe as të barabarta

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar raportin final të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR të publikuar këtë të enjte ( 23 tetor). Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Meta deklaron se raporti i OSBE/ODIHR konstatoi se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira dhe as të barabarta.
Sipas Metës, qeveria Rama ka tejkaluar çdo kufi me përdorimin e shfrenuar të “dopingut”.
“Raporti i OSBE-ODIHR konstaton se zgjedhjet e 11 Majit nuk ishin AS TË LIRA, AS TË BARBARTA, AS TË FSHEHTA.
“Fituesi” e tejkaloi çdo kufi me përdorimin e shfrenuar të “dopingut’”, shkruan Meta.
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, vlerësoi se procesi ishte konkurrues dhe i mirëmenaxhuar, por i zhvilluar në një mjedis shumë të polarizuar dhe me mungesë mundësish të barabarta mes kandidatëve.
Megjithatë OSBE/ODIHR thekson se kuadri ligjor ka mangësi të rëndësishme dhe kërkojnë të adresohen për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, ku përfshihet përmirësimi i administratës zgjedhore, transparenca e financimit të fushatës dhe garantimi e lirisë së medias. Këto mangësi, thekson raporti, tregon mungesën e vullnetit politik për reforma.
/rtsh.al/