E Diel, 1 Nëntor 2026

“Paketa e maleve”/ Rreth 200 aplikime në Bashkinë Vau i Dejës, interes për Luginën e Drinit

Rreth 200 qytetarë kanë aplikuar deri më tani për të përfituar nga Paketa e Maleve në Bashkinë Vau i Dejës. Sipas Marinela Dedës, drejtoreshë e Drejtorisë Ligjore dhe Aseteve, bashkia ka vënë në dispozicion sportele të posaçme ku të interesuarit mund të marrin informacion, këshillim dhe asistencë për procedurat e aplikimit.

“Në hapjen e aplikimeve për Paketën e Maleve janë shfaqur rreth 200 shprehje interesi, kryesisht në zonën e Driniut por edhe në zona të tjera lidhur me zhvillimin bujqësor dhe agro-pylltarinë. Bëjmë dhe një thirrje të fundit për qytetarët dhe subjektet e interesuara që të vijojnë lidhur me aplikimet përfundimtare që do të shqyrtohen nga ana jonë për të gjithë poseduesit faktik të këtyre pronave”, deklaroi Deda.

Interesi më i madh për këtë program mbështetës vijon të jetë në zonat përgjatë luginës së lumit Drin, ku potenciali për zhvillim ekonomik dhe turistik është i lartë.

“Ftojmë gjithë qytetarët dhe subjektet e interesuara që të bëjnë aplikimin përmes portalit e-Albania. Janë bënë në dispozicion nga ana e bashkisë, zyrat e shërbimit të cilat do të asistojnë qytetarët për përgatitjen e dokumentacionit të aplikimit dhe për hedhjen e aplikimit online në portalin e e-Albania”, shtoi Deda.

Paketa e Maleve synon të nxisë zhvillimin industrial dhe turistik, duke ofruar mbështetje për qytetarët dhe investitorët që zgjedhin të investojnë në këto zona. Në kuadër të këtij programi përfshihen zonat e Barbullushit, Luginës së Drinit, Bushatit, Shllakut, Mnelës dhe Nënshatit.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›