E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pakti tregtar SHBA-BE, eurodeputetët dhe diplomatët arrijnë dakordësi për nisjen e zbatimit

Diplomatët europianë arritën në orët e para të së mërkurës një marrëveshje të përkohshme për nisjen e zbatimit të paktit tregtar me SHBA-në, me qëllim shmangien e tarifave shtesë amerikane që presidenti Donald Trump ka kërcënuar të vendosë ndaj importeve nga vendet e bllokut.

Dakordësia e arritur në orët e para të së mërkurës, gati një vit pas nënshkrimit të paktit SHBA-BE, përfshin masa mbrojtëse, nën të cilat Brukseli mund të pezullojë uljen e tarifave ndaj importeve amerikane nëse këto të fundit dëmtojnë industrinë europiane dhe sipas të cilave Komisioni Europian mund të pezullojë tarifat preferenciale nëse deri në fund të këtij viti Uashingtoni vijon të zbatojë tarifa në nivel më të lartë se 15 për qind ndaj derivateve të aluminit.

Taksa këto që mbulojnë qindra produkte që përmbajnë çelik dhe alumin, siç janë motoçikletat dhe lavatriçet, dhe që vijuan të ishin më të larta se tavani prej 15 për qind, duke shkuar në disa raste në 50 për qind.

“Pavarësisht paqartësive, marrëveshja me SHBA-në vijon të jetë në fuqi. Treguam sërish se jemi një partner i besueshëm tregtar. E rëndësishme për SHBA-në është që BE të respektojë paktin dhe angazhimin për uljen e tarifave ndaj karavidheve dhe produkteve të caktuara industriale”, u shpreh për Financial Times Maroš Šefčovič, komisioner europian për tregtinë, që mbajti bisedime me zyrtarë amerikanë, përfshi sekretarin e tregtisë, atë të thesarit, si dhe përfaqësuesin tregtar të SHBA-së.

Nën paktin me SHBA-në, BE do të paguajë tarifa prej 15 për qind ndaj pjesës më të madhe të eksporteve drejt SHBA-së, ndërsa Brukseli do të heqë tarifat ndaj disa produkteve industriale dhe bujqësore amerikane.

Por Parlamenti Europian vonoi vënien e saj në zbatim pas kërcënimeve të Trump për aneksimin e Groenlandës dhe vendimit të Gjykatës Supreme amerikane që vuri në dyshim regjimin tarifor të Trump, i cili muajin e shkuar kërcënoi se do të rriste deri në 25 për qind tarifat ndaj automjeteve europiane dhe paralajmëroi për tarifa më të larta nëse Brukseli nuk zbatonte paktin deri në datën 4 korrik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›