Paluckas: SHBA e ka kuptuar që Putini nuk do të negociojë

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Kryeministri i Lituanisë, Gintautas Paluckas mbërriti në Samitin Politik Europian të Tiranës, ku u prit nga kryeministri Edi Rama.
Në një prononcim të shkurtër për mediet lidhur me agresionin rus në Ukrainë, Paluckas tha se “amerikanët e kanë kuptuar që Putini nuk do të negociojë, bota e ka kuptuar që Putini nuk do të negociojë. Por kjo është e qartë jo vetëm për amerikanët, por edhe për Europën e botën”.
“Kur Putini dërgon një delegacion të tillë të ulët politikë është e qartë që ai nuk ka prirje të hyjë në asnjë lloj negociate”, theksoi Paluckas referuar negociatave të mbajtura në Turqi.
Kryeministri Paluckas shprehu besimin se “administrata e re e SHBA-së do të kuptojë realitetin që Rusia e Putini nuk duan të hyjnë në asnjë lloj negociate, por vetëm nëse i përballim në të njëjtën fuqi në betejë”.
“Pres kontribut politik e ekonomik nga Gjermania dhe ashtu siç e shikojmë ne janë në drejtimin e duhur”, tha Paluckas.
/k.s/ /a.g/