Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Berlin, Bashkia e Pogradecit prezantohet për herë të parë

Bashkia e Pogradecit prezantohet për herë të parë në panairin ndërkombëtar të turizmit në Berlin, ku çdo vit marrin pjesë një numër i madh operatorësh turistikë nga e gjithë bota.
Sipas Ledjan Zeqollarit, Drejtor i Turizmit në Pogradec interesi është mjaft i madh për tu njohur me ofertën turistike të Shqipërisë por edhe të Pogradecit i cili zë një vend të rëndësishëm për sa i përket vëmendjes së shfaqur nga tur-operatorët nga e gjithë bota.
“Pogradeci prezanton të gjitha destinacionet turistike, të cilat janë shumë të vizituara sidomos nga turistë gjermanë, francezë, italianë, por jo vetëm. Do të prezantohen të gjithë tur-operatorët, si edhe kompanitë e mëdha turistike, të cilat janë përqendruar sot këtu. Interesi është i madh sidomos për Shqipërinë. Shqipëria është një destinacion i cili është në top listën e vendeve që duhet të vizitohen patjetër nga agjencitë e mëdha turistike. Po ashtu edhe Pogradeci zë një vend të rëndësishëm sa i përket interesit të madh që kanë shfaqur tur-operatorët, qoftë vendas, por edhe të huaj”, tha Ledjan Zeqollari, Drejtor i Turizmit në Bashkinë Pogradec.
Panairi ndërkombëtar i turizmit në Berlin zgjat 3 ditë dhe vizitohet nga mijëra të huaj dhe qindra agjenci turistike të cilat lidhin marrëveshje me agjencitë që prezantohen në të.
/rtsh.al/