Papa Leone XIV, letër falenderimi dhe vlerësimi Kryepeshkopit Joan

Pas ceremonisë së përurimit si Peshkop i Romës dhe udhëheqës i Kishës Katolike mbarëbotërore, Papa Leone i ka dërguar një letër mirënjohjeje Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, për pjesëmarrjen e delegacionit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Liturgjinë solemne të mbajtur në Vatikan më 18 maj.
Në letrën e tij, Papa Leone shpreh falënderime të sinqerta për praninë e delegacionit, duke e vlerësuar atë si një shprehje domethënëse të vëllazërisë së krishterë dhe të dëshirës për unitet në besim.
Letra:
Fortlumturisë së tij, Joanit,
Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë
Këto ditë, pas përurimit të shërbesës sime si Peshkop i Romës dhe Pasardhës i Pjetrit, po ju shkruaj për t’ju shprehur mirënjohjen e thellë për afërsinë tuaj vëllazërore dhe për dashurinë që treguat kur morët pjesë, bashkë me delegacionin tuaj të nderuar, në Liturgjinë solemne në Vatikan, të dielën, më 18 maj. Pjesëmarrja juaj më preku thellë, sepse është shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit.
Si një bashkëshërbëtor në vreshtin e Zotit, ju kërkoj me dashamirësi të vazhdoni të më mbështesni përmes lutjeve tuaja, që Perëndia i Plotfuqishëm të më forcojë t’i shërbej atij dhe popullit të tij të shenjtë. Ndërsa dëgjojmë së bashku se çfarë i thotë Shpirti i Shenjtë kishave (Zbulesa 2:7), le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të nxitur unitetin ndërmjet të gjithë të krishterëve, duke iu bindur vullnetit të Zotit Jezu ( Jn. 17:21), dhe të punojmë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë.
Me këto ndjenja, vëlla i dashur, ju përqafoj ngrohtësisht me gëzimin dhe paqen e Krishtit, Shpëtimtarit tonë.
