Papa Leoni meshë në Madrid, mbi 1.2 milionë besimtarë e ndoqën në kryeqytetin spanjoll

Turma masive njerëzish u mblodhën në Madrid ndërsa Papa Leoni XIV-të mbajti meshën në Plaza de Cibeles, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Spanjë. Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia ishin mes besimtarëve që valëvitnin flamuj spanjollë dhe të Vatikanit.
Gjatë predikimit, Ati i Shenjtë tha se spanjollët nuk duhet ta shohin fenë si një muze të së kaluarës që duhet vizituar, por si një shkollë besimi nga e cila mund të nxjerrin mësime edhe sot. Nën masa të forta sigurie Papa udhëhoqi një procesion tradicional përgjatë një itinerari të mbushur me karafil të bardhë dhe të verdhë, ngjyrat e flamurit të Vatikanit.
Organizatorët bënë me dije se më shumë se 1.2 milion persona ndoqën meshën e Kreut të Kishës katolike. Papa amerikan nisi të shtunën vizitën shtatëditore në Spanjë. Rreth 500 mijë persona, kryesisht të rinj iu bashkuan 70-vjeçarit jashtë stadiumit Bernabeu të Real Madridit, ndërsa më herët u prit me një ceremoni madhështore në pallatin mbretëror të Madridit, nga ku bëri thirrje për t’i dhënë fund narrativave polarizuese.
Papa vlerësoi Spanjën, qeveria e majtë e së cilës ka kritikuar vendlindjen e tij SHBA-në dhe Izraelin për luftën në Lindjen e Mesme. Javën e ardhshme, Leoni XIV-të do të vizitojë Barcelonën ku ai do të bekojë kullën e përfunduar së fundmi të bazilikës Sagrada Familia, e cila e bëri atë kishën më të lartë në botë. Udhëtimi i tij do të mbyllet në ishujt Kanarie, ku në fokus do të jetë migracioni.
/rtsh.al/