Papa Leoni viziton Lampeduzën, i kërkon Europës të bëjë më shumë për mbrojtjen e migrantëve

Vizitën e tij në ishullin italian të Lampeduzës, një nga pikat kryesore ku mbërrijnë ata që nisen nga Afrika me qëllim mbërritjen në Europë, Papa Leoni i XIV e nisi duke u lutur pranë varreve të viktimave që kanë humbur jetën në detin Mesdhe. Më pas ai ndali në atë që quhet porta drejt Europës, një monument dedikuar atyre që rrezikojnë çdo gjë në kërkim të një jete më të mirë.
Në meshën e mbajtur në ishullin italian, Ati i Shenjtë iu bëri thirrje shteteve europiane që të ndërmarrin një qasje strategjike drejt integrimit të migrantëve dhe përmirësimit të jetëve në vendet që janë në zhvillim.
“Nga ky cep i largët i Europës në Mesdhe, mund të kuptohet më qartë sfida që përbën fenomeni i migracionit për shoqëritë europiane. Megjithatë, Europa është e aftë të adresojë këtë krizë në një mënyrë më gjithëpërfshirëse, duke i integruar përpjekjet e ndihmës së menjëhershme në një plan afatgjatë strategjik që është i aftë të mbrojë, mbështesë dhe integrojë migrantët”, u shpreh udhëheqësi shpirtëror i 1.4 miliardë katolikëve të botës.
Migracionin Ati i Shenjtë e adresoi edhe në një fjalim që mbajti një ditë më parë nga Vatikani për Qendrën Kombëtare të Kushtetutës së Filadelfias, e cila i akordoi medaljen e lirisë, dhe ku Papa, i lindur në Çikago, nënvizoi se shpresonte që idealet e bashkimit, drejtësisë dhe paqes që karakterizonin baballarët themelues të SHBA-së do të drejtonin atë vend që po feston 250-vjetorin e pavarësisë.
“Ky përvjetor i veçantë na jep mundësinë që të reflektojmë për parimet themeluese të kombit me shpresën se Amerika do të mbetet gjithmonë besnike ndaj ëndrrës që i dha emrin toka e të lirëve dhe shtëpia e të guximshmëve”, u shpreh kreu i Kishës Katolike, duke nënvizuar që Amerika ishte kthyer në simbolin e lirisë në mbarë botën për shkak të mënyrës se si i ka pritur migrantët, një kritikë kjo e tërthortë ndaj presidentit Donald Trump me administratën e të cilit është përplasur për shkak të trajtimit që iu bëhet migrantëve në SHBA.
/rtsh.al/