Papunësia tek të rinjtë pritet të ulet nën 15% deri në 2030-ën

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Papunësia e të rinjve në Shqipëri pritet të zbresë nën 15% deri në vitin 2030, sipas programit të ri të qeverisë për punësimin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, i cili synon një treg pune konkurrues e gjithëpërfshirës.
Aktualisht, papunësia në vend ka shënuar rënie historike, nga 17,5% në vitin 2014-ën në 8,8% në vitin 2024, ndërsa janë krijuar mbi 300 mijë vende të reja pune.
Qeveria thotë se ky është rezultat i reformave të ndërmarra gjatë dekadës së fundit, të cilat e kanë shndërruar tregun e punës në një motor të rëndësishëm zhvillimi dhe mirëqenieje për qytetarët.
“Objektivi ynë strategjik është krijimi i një tregu pune konkurrues, gjithëpërfshirës dhe në linjë me standardet e BE-së, ku çdo qytetar shqiptar ka mundësi reale për punësim cilësor, paga të larta dhe zhvillim profesional të qëndrueshëm”, thuhet në programin e qeverisë.
Për të rinjtë, është forcuar mbështetja përmes Garancisë Rinore, e cila ofron mundësi punësimi, trajnimi ose edukimi brenda katër muajve nga regjistrimi, ndërsa synimi është që mbi 40 mijë të rinj të përfitojnë çdo vit nga kjo politikë.
Në vizionin për katër vitet e ardhshme, qeveria parashikon uljen e papunësisë së përgjithshme në 6% deri në vitin 2030, pagë minimale 500 euro duke nisur nga 1 janari 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta dhe pagë mesatare kombëtare 1,000 euro deri në vitin 2030, ndërsa në sektorin publik ajo do të arrijë në 1,200 euro.
Shërbimet e punësimit do të digjitalizohen plotësisht si dhe do të ngrihet një platforme për orientimin në karrierë.
Parashikohet gjithashtu zgjerimi i arsimit profesional, me synimin që 1 në 3 nxënës të ndjekin këtë drejtim deri në vitin 2030, si dhe transformimi i shkollave profesionale në qendra multifunksionale me konvikte dhe kurse për profesione të kërkuara.
Pjesë e planit janë edhe forcimi i barazisë në paga, politikat aktive për punësimin e grave, programe për rikthimin e talenteve nga diaspora dhe marrëveshje për njohjen e pensioneve për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Sipas OECD, Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për politikat e punësimit, një tregues i përparimeve në ndërtimin e një sistemi më transparent, efikas dhe të lidhur me nevojat e ekonomisë moderne. /j.p/