Salla: Mbi 23 mijë fermerë, mbështetje nga Skema Kombëtare deri tani

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Adis Salla, ka bërë të ditur se procesi i disbursimit të fondeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025 po vijon me intensitet, duke dhënë rezultate konkrete për fermerët shqiptarë.
Ministri tha se, deri më sot janë mbështetur 23,396 fermerë në të gjithë vendin, me një fond total prej 1.13 miliard lekësh të disbursuar, ndërkohë që pagesat për përfituesit e tjerë janë në proces.
“Përmes kësaj skeme, ulim kostot e prodhimit për fermerët, rrisim rendimentin dhe fuqizojmë prodhimet “Made in Albania”, duke forcuar konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural,” u shpreh Salla.
Masat e Skemës Kombëtare 2025 përfshijnë:
• Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta);
• Zhvillimin e bletarisë;
• Mbështetje për farë, fidanë dhe inpute të tjera bujqësore;
• Kultivimin e bimëve mjekësore-aromatike;
• Nxitjen e fermave organike;
• Certifikimin Global GAP (standard ndërkombëtar për sigurinë ushqimore dhe gjurmueshmërinë);
• Mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Kjo skemë mbetet një ndër instrumentet kryesore të politikës së Ministrisë së Bujqësisë për të nxitur zhvillimin e sektorit rural, për të garantuar prodhim cilësor dhe për të përgatitur fermat shqiptare për sfidat e integrimit në tregun europian.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025 ofron financim 100% për grupimet e fermerëve dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit.
Thirrja për aplikime, në 7 masat mbështetëse dhe naftën pa taksa, të Skemës Kombëtare në Bujqësi 2025, u çel më 14 prill 2025 dhe vijoi deri më 30 maj 2025. Qeveria përmes Skemës Kombëtare në Bujqësi adreson subvencione të drejtpërdrejta për fermerët dhe blegtorët duke i mbështetur ata në uljen e kostove dhe nxitjen e potencialit të prodhimit bujqësor vendas, që është mjaft i kërkuar nga tregu vendas si dhe për eksport. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural financoi 67 133 fermerë në shkallë vendi, përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024. Nga të cilët 52 195 fermerë përfituan mbështetje për naftë, 3 503 fermerë u financuan për tufën bazë të matrikulluar gjedhë, 5 089 për tufën bazë të matrikulluar të imta, 4 056 për bletarinë, 105 për fermat organike, 3 fermerë për certifikimin Global Gap, 1406 fermerë për fara, fidanë dhe inpute të tjera dhe 75 fermerë u financuan për bimët mjekësore – aromatike. Pagesat u realizuan në masën 100%, me një fond total prej 5,2 miliardë lekësh. /j.p/