E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksion pastrimi në qarkun e Vlorës, prefekti Nesturi për ATSH-në: Mbrojmë natyrën, mbështesim turizmin

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Në qarkun e Vlorës u zhvillua sot një aksion pastrimi, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Deteve dhe Lumenjve.

Ky aksion u përqendrua për pastrimin e Zvërnecit, në Vlorë, në Qeparo, Himarë, në Sarandë dhe në bashkinë Selenicë.

Në aksionin e pastrimit në Zvërnec morën pjesë kryetari i komanduar i bashkisë Vlorë, Elis Halili, prefekti i qarkut, njëherazi kryetar i Këshillit të Basenit Lumor Vjosë, Plator Nesturi, si dhe punonjës të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore bashkia Vlorë, të bashkisë Vlorë, prefekturës si dhe rreth 70 nxënës.

Në një prononcim për ATSH-në, prefekti Nesturi tha se “ky aksion po zhvillohet tashmë në të gjithë Shqipërinë, në lumenjtë e Drinit, Bunës, Ishmit, Erzent, Matit, Shkumbinit, Semanit dhe basenin e Vjosës. Aksioni ka për qëllim jo vetëm sensibilizimin, por edhe mbrojtjen e mjedisit nga papastërtitë, gjë që ka të bëjë me aspektin më të qenësishëm për zhvillimin e turizmit. Pastrimi i terreneve do të jetë një punë e vazhdueshme e bashkive të qarkut”.

“Aksioni i sotëm po kryhet jo vetëm për të mbrojtur natyrën, por është edhe një vlerë e shtuar për një qark që në bazë ka turizmin. Turizmi nuk mund të operohet me sukses pa e përkrahur natyrën dhe pa pastruar plazhet tona. Në këtë kuadër po shikojmë edhe elemente të tjerë që janë fenomene negative edhe gjatë sezonit turistik”, theksoi Nesturi.

Prefekti Nesturi u shpreh se në një zonë të mbrojtur si Zvërneci ku nuk lejohen as kampingjet dhe as ushtrimi i aktiviteteve të tjera, realisht ka papastërti të ndryshme dhe që ndikojnë në mjedisin e kësaj zone dhe të turizmit në Vlorë.

“Është jetike të mbrojmë burimet ujore dhe natyrore, zona si Pylli i Sodës dhe Zvërneci kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm”, u shpreh ai.

Sa i përket lumit Vjosë, Nesturi tha se është bërë një punë shumë e madhe.

“Janë marrë masa për pezullimin e çdo lloj aktiviteti që mund të sjellë ndotjen e tij. Kjo nuk është punë  vetëm për qarkun Vlorë, pasi baseni ujor i Vjosës përfshin 4  prefektura të tjera, janë 24 bashki të tjera të cila operojnë në lumin e Vjosës. Jemi në rrugën e duhur të kemi një basen që të jetë i pastër në përputhje si nga ana ligjore edhe nga ajo mjedisore”, vuri në dukje ai.

Ndërsa kryetari i komanduar i bashkisë së Vlorës, Elis Halili tha se “kjo zonë në gjendjen që e shikojmë sot është këmbanë alarmi. Ndotja e saj ka qenë e evidentuar edhe më parë dhe për bashkinë do të jetë proces rutinë dhe  detyrë e përhershme në programin e ndërmarrjeve të qytetit për të pasur një qytet të pastër”.

Ky aksion do të vazhdojë në të gjitha bashkitë e qarkut të Vlorës.

1 nga 4

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›