E Diel, 1 Nëntor 2026

“Paqja Fiskale” dhe lehtësimet për biznesin, ministri Malaj publikon reformën fiskale deri në vitin 2030, synohen 10 miliardë euro të ardhura

Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi sot, përmes një komunikimi në mediat sociale, detajet kryesore të reformave fiskale që synojnë harmonizimin e sistemit me standardet e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Ky plan ambicioz parashikon një rritje të qëndrueshme të të ardhurave buxhetore, të cilat pritet të arrijnë në 10 miliardë euro në fund të dekadës.

Sipas ministrit Malaj, kjo rritje prej 311 milionë eurosh në vit do të realizohet kryesisht përmes zgjerimit të bazës tatimore.

“Paqja Fiskale” dhe lehtësimet për biznesin

Një element qendror i strategjisë është prezantimi i “Paqes Fiskale” për periudhën 2026-2030. Kjo iniciativë do të sjellë lehtësime të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset, duke përfshirë faljen e detyrimeve tatimore e doganore të prapambetura. Ky hap synon të krijojë një marrëdhënie të re dhe më të transparentë mes administratës tatimore dhe tatimpaguesve.

Gjithashtu, konfirmohet vijimi i politikës së taksës 0% për bizneset e vogla deri në vitin 2029, si një nxitje drejt formalizimit të sipërmarrjes në këtë segment.

Rishikimi i TVSH-së për bujqësinë

Ministria e Financave i ka kushtuar vëmendje të veçantë sektorit të bujqësisë, duke paralajmëruar rishikimin e skemës së TVSH-së në përputhje me praktikën e BE-së. Për fermerët, do të mundësohet kompensim deri në 10% të TVSH-së për çdo blerje malli apo shërbimi që mbështet zinxhirin e tyre prodhues.

Reforma e tatimit mbi pasurinë

Në lidhje me tatimin mbi pasurinë, reforma e re do të bazohet në vlerën reale të pronës, duke përdorur një metodologji të përditësuar të çmimeve të referencës. Për të inkurajuar deklarimin e saktë të pasurive dhe për të ulur informalitetin, do të hapet një proces i ri rivlerësimi me një normë të reduktuar tatimore prej vetëm 5% për individët dhe personat juridikë.

Ministri Malaj përmbylli duke theksuar se këto reforma synojnë të garantojnë një sistem fiskal më të drejtë dhe konkurrues, duke e vendosur Shqipërinë në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE.

Reformat kryesore fiskale në rrugën e Shqipërisë 2030 në BE
1. Paqja Fiskale 2026-2029
2. Taksa 0% për bizneset e vogla deri në 2029
3. Reforma e Taksës së Pasurisë
4. Mbështetja për Bujqësinë me
rishikimin e skemës TVSH për fermerët sipas praktikave të BE

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›