Parada e shqiptarëve në New York, kryebashkiaku Adams me plis në kokë dhe shallin kuq e zi: Mezi pres të vij në Shqipëri (VIDEO)

E shtuna e 21 qershorit shënoi një ditë historike për shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi në New York u zhvillua Parada Shqiptare.
Në një ceremoni të mbushur me gjallërinë e emocioneve dhe ngjyrat kuq e zi, shqiptarët në New York City parakaluan përgjatë zonave nga Central Park W & 81st deri në Central Park W & 68th St.
I pranishëm ishte edhe kryetari i bashkisë së New York-ut, Eric Adams, i cili u shfaq me plis në kokë dhe shall kuq e zi mbi supe.
Në fjalimin e tij, Adams vlerësoi kontributin e shqiptarëve në jetën kulturore, ekonomike dhe publike të qytetit.
Kryebashkiaku shprehu dëshirën për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë.
Kryetari i Bashkisë Eric Adams: Çfarë dite, çfarë dite. Një paradë është simbolike në këtë vend si një mënyrë për të deklaruar se ju jeni pjesë e gjithçkaje në të cilën besojmë.
Ju sillni këtu besim, ju sillni këtu kulturën tuaj, ju sillni këtu etikën tuaj të punës, ju sillni këtu sigurinë tuaj publike, burrat dhe gratë që jo vetëm zbukurojnë simbolin tuaj kuq e zi, por zbukurojnë edhe uniformën e policisë. Ata na mbajnë të sigurt çdo ditë dhe dua t’i falënderoj që janë këtu për të festuar me ne.
Kur më pyetën nëse mund të organizoni një paradë, thashë po. Ne do ta bëjmë të ndodhë dhe do të sigurohemi që të jetë një nga paradat më të mira që do të shihni. 200,000 shqiptarë jetojnë në New York City. Numri më i madh i shqiptarëve në këtë vend është pikërisht këtu në New York City.
Nga “Shqipëria e Vogël” në Bronx te “Shqipëria e Vogël” në Queens, ju jeni rritur dhe keni një pikëmbështetje të fortë, dhe forca juaj politike është e pashembullt. Ju them, faleminderit që e bëtë këtë qytet atë që është.
Jam shumë i emocionuar sot.
U deshën 109 kryetarë bashkie që ta kuptonin se duhet të organizonim një paradë për Ditën e Shqipërisë këtu në New York City, ku po e organizoni ju tani. Dhe djali im… jam shumë xheloz për të, ai shkoi në Shqipëri dhe mori pjesë në një nga koncertet tuaja.
Mezi pres të shkoj në Shqipëri dhe të shijoj lumenjtë, detet, malet e bukura dhe gjithçka që keni për të ofruar./vizionplus.tv