E Martë, 3 Nëntor 2026

Parada e shqiptarëve në Nju-Jork, kryebashkiaku Adams: Mezi pres të vij në Shqipëri

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Nju-Jorkut (New Jork), Eric Adams priti në një takim përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, përpara nisjes së Paradës së Shqiptarëve që u organizua në datë 21 qershor në qytetin metropolitan.

Gjatë fjalës së tij para pjesëtarëve të komunitetit, Adams i inkurajoi shqiptarët që të ruajnë lidhjet me atdheun dhe të mos e humbasin dashurinë për Shqipërinë.

“Duhet ta doni Shqipërinë më shumë se Amerikën”, tha ai, duke shtuar se edhe djali i tij është i dashuruar me Shqipërinë dhe mezi pret të vizitojë vendin për të përjetuar nga afër bukuritë e vendit tonë.

“Çfarë dite, çfarë dite! Dhe kur mendoni për vëllezërit dhe motrat tona nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe nga Maqedonia e Veriut do të thotë shumë për ne të jemi këtu në Gracie Mansion dhe të presim paradën tuaj, një paradë që do të thotë kaq shumë.

Një paradë që është simbolike në këtë vend, si mënyrë për të deklaruar se ju jeni pjesë e gjithçkaje në të cilën besojmë. Dhe bukuria e kësaj është se kur parakaloni përgjatë njërit prej bulevardeve tona kryesore, ju tregoni dhe shfaqni flamurin tuaj, flamurin tuaj kuqezi, me atë simbol të rëndësishëm mbi të”, tha Adams.

“Parada tregon se ju nuk keni nevojë të largoheni nga atdheu juaj për të dashur atdheun tuaj të dytë, Amerikën. Ju jeni të aftë t’i keni të dyja vendet”, thekson ai.

Sipas kryebashkiakut të Nju-Jorkut, shqiptarët në Amerikë nuk sjellin vetëm kulturën dhe etikën e punës, por edhe sigurinë publike.

“Ju sillni këtu besim, ju sillni këtu kulturën tuaj, ju sillni këtu etikën tuaj të punës, ju sillni këtu sigurinë tuaj publike, burrat dhe gratë, që jo vetëm zbukurojnë simbolin tuaj kuqezi, por ata zbukurojnë edhe uniformën e policisë. Ata na mbajnë të sigurt çdo ditë dhe dua t’i falënderoj që janë këtu për të festuar me ne”, vijoi ai.

“Kur më pyetën nëse mund të organizoni një paradë, thashë po. Do ta bëjmë të ndodhë dhe do të sigurohemi që të jetë një nga paradat më të mira që do të shihni. 200 000 shqiptarë të fortë jetojnë në Nju-Jork. Numri më i madh i shqiptarëve në këtë vend është pikërisht këtu në New York City. Nga Shqipëria e Vogël në Bronks (Bronx), deri te Shqipëria e Vogël në Kuins (Queens), ju jeni rritur dhe keni një pikëmbështetje të fortë, dhe forca juaj politike është e pashembullt. Ju them, faleminderit që e bëtë këtë qytet atë që është”, shtoi Adams.

Kryebashkiaku i Nju-Jorkut në fund të fjalës së tij, u shpreh se mezi pret të vijë në Shqipëri dhe të shijojë lumenjtë, detet, malet e bukura dhe gjithçka tjetër.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›