Praktika e punës në administratë, aplikimet nga 27 qershori – 10 gusht për 600 vende

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Të rinjtë që kanë përfunduar studimet në ciklin e parë “Bachelor” dhe duan të angazhohen në praktikë pune në institucionet publike mund të aplikojnë nga 27 qershori deri në 10 gusht.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale tha se, “thirrja e dhjetë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është pothuajse gati. Aplikimi është i hapur për të rinjtë 21–29 vjeç dhe periudha e praktikës do të përfshihet në periudhën shtator–dhjetor 2025”.
Muzhaqi tha se edicioni i 2025-s do të sjellë 600 vende praktike në administratë dhe institucione publike, kompensim financiar gjatë praktikës, trajnim i dedikuar nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) dhe mundësi kontrate pune për 250 praktikantë.
Për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës të rinjtë duhet të aplikojnë online.
Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private.
Institucionet bëjnë përzgjedhjen e praktikantëve që do të punësohen me kontratë 1- vjeçare, duke u bazuar te performanca e vlerësimit të praktikantëve si dhe nevojave të secilit institucion.
/k.s//r.e//a.f/