E Diel, 1 Nëntor 2026

Paralajmërimi i ambasadës amerikane për sulme të mundshme nga Irani, Shehu: Qeveria duhej të jepte alarmin, të tregojnë masat që po merren. Hoxha: Jemi në kontakt me SHBA, s’ka rrezik

Deputeti demokrat Tritan Shehu ka shprehur shqetësim në nisje të seancës plenare për njoftimin e dhënë një ditë më parë nga ambasada amerikane se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë edhe në Shqipëri subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara.

Sipas Shehut, do duhej të ishte qeveria shqiptare ajo e cila të ngrinte alarmin dhe të bëjë me dije për qytetarët shqiptarë masat që po merren.

Ai e konsideroi tejet serioze njoftimin e Ambasadës, teksa kërkoi sqarime nga Kryeministri Edi Rama për situatën konkrete.

“Rrezik potencial në vendin tonë nga grupet terroriste iraniane. S’mund ta kalojmë ne si parlament me mendjelehtësi si një reagim i djeshëm i qeverisë që mbante erë mendjelehtësi. Është e domosdoshme që sot kryeministri të referojë para parlamentit, të dëgjojë pyetjet e deputetëve në lidhje me këtë çështje për të sqaruar parlamentin ç’po ndodh, si po ecet dhe çfarë masash janë marrë?

Relaisht s’po shoh reagim adekuat të qeverisë dhe as të presidentes për mbledhjen e këshillit të mbrojtjes kombëtare. E konsideroj serioze njoftimin e ambasadës që lidhej me pasigurinë në territorin shqiptare në zona turistike, sociale, lokale. Ishte serioz dhe tregon për diçka që ne si deputet duhet ta marrim në konsideratë.

Qeveria jonë, ministria e brendshme, institucionet e inteligjencës të vinin të parat në gjendje alarmi jo vetëm qytetarët shqiptarë por dhe ambasadat e huaja në Shqipëri. Këtu po ndodh e kundërta. Njoftimi jepet nga ambasada. Kryeministri të vijë në Parlament dhe të japë sqarime”, deklaroi Shehu.

Pas deklaratave të Shehut, ka reaguar Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha i cili ka qetësuar jo vetëm deputetët, por edhe qytetarët se nuk ka absolutisht asgjë për t’u alarmuar. Si theksoi se situata është e sigurtë dhe se qeveria është në kontakt me partnerët europianë për çdo gjë.

“E vlerësoj shqetësimin e deputetit shehu. Siguroj deputetin dhe gjithkënd që ne e ndjekim me seriozitet

Deklaratat e partnerëve tanë, jemi në konakt me ata këtu, në Uashington, në NATO. Vlerësimi që kemi sot, duke ndjekur zhvillimet nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar. Situata e sigurisë është e sigurtë. Ka pasur komunikim dje nga zyra e shtypit të kryeministrit. Duhet t’i qëndrojmë asaj. Ministritë do informojnë në rrugën e duhur, në kanalet e duhura duke qene në kontakt me kryeministrin, qeverinë dhe presidentin”, deklaroi ministri.

Një ditë më parë Ambasada Amerikane paralajmëroi qytetarët amerikanë në Shqipëri dhe në mbarë botën për një rrezik të shtuar nga grupet e lidhura me Iranin, si pasojë e konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.

Sipas alertit të sigurisë, grupet e mbështetura nga Irani mund të synojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›