Paraqiste rrezik për banorët, shpërthim i kontrolluar në shkëmbin në Malin e Torovicës

Mesditën e kësaj të mërkure (1 prill) u zhvillua një tjetër operacion për asgjësimin e shkëmbinjve të rrezikshëm në malin e Torovicës, në Lezhë.
Pas evakuimit të banorëve dhe bllokimit të rrugës, forcat xheniere realizuan shpërthimin e kontrolluar të një prej shkëmbinjve më problematikë në këtë zonë.
Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Lezhë, Gjergj Prendi, bëri të ditur se operacioni rezultoi i suksesshëm, ndërsa ndërhyrjet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim eliminimin e plotë të rrezikut për banorët dhe kalimtarët.
“Kjo ishte faza e dytë e ndërhyrjes së operacionit. Operacioni u vlerësua i suksesshëm sepse shpërthimi u krye brenda perimetrit teknik-inxhinier. Nuk kemi dëme në banesa, objekte sociale, kulturore apo të tjera. Presim që brenda 2-3 ditëve të realizojmë shpërthimin e radhës. Ky grup shkëmbinjsh ishte ndër më problematikët dhe paraqiste rrezikshmëri të lartë për banorët,” tha Prendi.
Operacioni për shpërthimin e shkëmbinjve të rrezikshëm në malin e Torovicës nisi dy ditë më parë, pas vendosjes së rrjetave mbrojtëse për garantimin e sigurisë.
/rtsh.al/