E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rehabilitimi i kanalit kullues në Vlorë, ndërhyrja për të parandaluar përmbytjet. Sfidë mbeten ndërtimet pa leje

Prej shumë vitesh i lënë pas dore, një nga kanalet kryesore kulluese në qytetin e Vlorës po i nënshtrohet një ndërhyrjeje të plotë rehabilitimi, me qëllim parandalimin e përmbytjeve.

Megjithatë, puna është shoqëruar me vështirësi, për shkak të objekteve të shumta të ndërtuara përgjatë viteve, një pjesë e të cilave pa leje, madje edhe mbi vetë gjurmën e kanalit.

“Ka pasur pengesa, pasi mbi këtë kanal ishin ndërtuar objekte pa leje. Me mirëkuptimin e qytetarëve, u kemi ofruar bonus qiraje,” tha Brunilda Mersini, Kryetare e Bashkisë Vlorë.

Bashkia paralajmëron se çdo ndërtim që pengon aksesin për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanalit do të hiqet, në funksion të sigurisë së qytetit.

Sipas Mersinit, ndërhyrjet e deritanishme kanë dhënë efekt, pasi pavarësisht një dimri me reshje intensive, qyteti nuk ka pësuar përmbytje.

Bashkia ka ofruar bonus qiraje, në mënyrë që të lehtësohet procesi i lirimit të hapësirave dhe vijimi i punimeve.

Projekti përfshin gjithashtu rikthimin në funksion të një baseni pritës, i cili më herët ishte jashtë përdorimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›