Park i ri lojërash në Voskopojë, nis ndërtimi i një hapësire rekreative për fëmijët dhe familjet

Kanë nisur punimet për ndërtimin e një parku të ri lojërash në Voskopojë, një investim që do t’u shërbejë jo vetëm fëmijëve të zonës, por edhe vizitorëve të shumtë që zgjedhin fshatin turistik gjatë gjithë vitit.
Hapësira e re do të krijojë kushte më të mira për argëtim, çlodhje dhe kalimin e kohës në familje, duke pasuruar ofertën rekreative të Voskopojës. Banorët e vlerësojnë nisjen e këtij investimi dhe shpresojnë që ai të pasohet edhe nga projekte të tjera për krijimin e hapësirave publike.
“Kjo është një gjë shumë e mirë për fshatin tonë. Se duam që fshati të ketë gjëra të bukura, të ketë gjëra të çlodhemi të tjera”, tha një banore.
Parku i ri pritet të kthehet në një tjetër pikë tërheqëse për familjet, duke plotësuar ofertën turistike të Voskopojës me një hapësirë të dedikuar për fëmijët. Investimi synon të përmirësojë cilësinë e shërbimeve për banorët dhe turistët, duke e bërë fshatin edhe më mikpritës për vizitorët.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/