Park teknologjik në Durrës, zona ofron një regjim tatimor shumë të favorshëm për biznesin vendas dhe të huaj

Biznese inovative, start-upe dhe nomadë digjitalë ftohen të aplikojnë nga dita e sotme për t’u bërë pjesë e “Durana Tech Park”, një park teknologjik dhe shkencor në Xhafzotaj të Durrësit.
Me qëllimin për të tërhequr investitorë të huaj dhe për të nxitur edhe ato vendase, për kompanitë private që operojnë në sektorin e TIK do të ofrohen edhe lehtësi fiskale.
“Durana Tech Park ofron një regjim tatimor shumë të favorshëm, i krijuar enkas për të maksimizuar fitimin e kompanive rezidente në techpark: 0% TVSH dhe 0% Tatim mbi Fitimin për kompanitë rezidente si një avantazh i madh krahasuar me rajone ku TVSH-ja dhe tatimi mbi fitimin mund të arrijnë deri në 20% dhe 15%, respektivisht. 0% Tatim mbi të Ardhurat personale për 10 vite për punonjësit. Kontributet shoqërore për punonjësit kufizohen në 95 €/muaj, me një kontribut të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore prej vetëm 3.4%, duke sjellë kursime të mëdha në kostot e punës.”, tha Elira Kokona, Drejtore, korporata shqiptare e investimeve
Sipas të dhënave, deri tani kanë shprehur interes 53 kompani për t’u bërë pjesë e “Durana Tech Park”.
Përdoruesit e parë të parkut do të konfirmohen në prill dhe, ata që do të bëhen pjesë, do të paguajnë një tarifë regjistrimi.