E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani dominon derbin, mposht 2-0 Tiranën

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Partizani ka marrë fitoren e dytë sezonale në derbin e kryeqytetit, duke triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Tiranës në “Arenën Kombëtare”.

Sfida e javës së 15-të të Superiores foli qartë për “Demat e kuq”, që u treguan më agresivë dhe më konkretë përgjatë gjithë ndeshjes.

Të kuqtë kaluan në avantazh që në minutën e 7’, kur Human shfrytëzoi në maksimum një gabim në prapavijën bardheblu dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë Partizanit epërsinë e hershme.

Tirana tentoi të reagonte, por loja e organizuar dhe presioni i vazhdueshëm i Partizanit nuk i lejuan skuadrës së Nuhiut të gjente qartësi në sulm. Bardheblutë u ndeshën me shumë vështirësi, ndërsa “Demat” vazhduan të rrezikonin.

Goditja përfundimtare erdhi në minutën e 66’, kur Skuka, i vetëm përballë portierit Tafas, nuk gaboi dhe e çoi rezultatin në 0-2, duke vulosur fitoren e Partizanit dhe dërguar Tiranën në nokaut sportiv.

Me këtë sukses të rëndësishëm, Partizani ngjitet në kuotën e 20 pikëve dhe pozicionohet në vendin e 6-të, vetëm tri pikë larg zonës së “Final 4”.

Në krahun tjetër, Tirana vazhdon të mbetet e fundit në renditje me vetëm 7 pikë, ndërsa makthi i rënies në Kategorinë e Parë po bëhet gjithnjë e më i pranishëm.

Rezultati:

Tirana 0-2 Partizani

Human 7’, Skuka 66’

Formacionet zyrtare:

Tirana: Tafas, Vera, Ndong, Dembele, Valerianos, Meta, Rafael, Haxhiu, Vogli, Tabeku, Tare.

Trajner: Ardijan Nuhiu

Partizani: Qirko, Atanaskoski, Janjeva, Marku, Bytyçi, Dumbia, Ismaili, Human, Kote, Isgandarli, Toma

Trajner: Oltijon Kërnaja

Tirana-Partizani, Java 15 1 nga 7

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›