Pezullimi i zv.kryeministres, Gjykata Kushtetuese vendos sot për ankimimin e qeverisë

Gjykata Kushtetuese do të vendosë këtë të martë, 2 dhjetor, nëse do të marrë apo jo për shqyrtim kërkesën e bërë nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila vendosi pezullimin nga detyra për zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Këshilli i Ministrave ankimoi vendimin e GJKKO, me argumentin se është krijuar një konflikt kompetencash midis Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar.
Në kërkesën e saj, Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO deri në shqyrtimin e çështjes nga Kushtetuesja si dhe shfuqizimin e vendimit për pjesën që ka vendosur masën ndaluese ndaj Ballukut.
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se ankimimi nuk ka të bëjë me mbrojtjen e një personi të veçantë, por me mbrojtjen e parimeve themelore kushtetuese që garantojnë ndarjen e pushteteve në Shqipëri.
/rtsh.al/