E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pas 51 vitesh, Prokuroria e Romës rihap hetimet për vrasjen misterioze të shkrimtarit dhe regjisorit Pier Paolo Pasolini

Prokuroria e Romës ka hapur një dosje të re hetimore për vrasjen e shkrimtarit dhe regjisorit italian Pier Paolo Pasolini, 51 vite pas ekzekutimit të tij në Ostia, pranë Romës.

Pier Paolo Pasolini

Pasolini

Vendimi vjen pas një kërkese të paraqitur nga avokati Stefano Maccioni, i cili pretendon se ka prova dhe elemente të reja që mund të hedhin dritë mbi rrethanat e vrasjes së 53-vjeçarit, më 2 nëntor 1975.

Në qendër të hetimeve është dyshimi se Pasolini nuk është vrarë nga një person i vetëm. Për ngjarjen u dënua Giuseppe Pelosi, i njohur si Pino, i cili në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç dhe fillimisht pranoi autorësinë e krimit. Vite më vonë, ai e tërhoqi rrëfimin, duke pretenduar se nuk kishte vepruar i vetëm.

Kërkesa e re për rihapjen e çështjes është mbështetur edhe në materiale arkivore, përfshirë pamje filmike të kohës dhe prova të tjera që, sipas avokatit, meritojnë verifikim të mëtejshëm.

Maccioni u ka bërë thirrje personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen të dalin dhe të dëshmojnë.

Kjo nuk është hera e parë që kërkohet rihapja e çështjes. Kërkesa të ngjashme në vitet 2016 dhe 2023 ishin rrëzuar nga Prokuroria.

Pasolini, një nga figurat më të njohura të kulturës italiane, u gjet i vrarë në zonën e Idroscalo-s, në Ostia, në natën mes 1 dhe 2 nëntorit 1975. Vrasja e tij mbetet një nga çështjet më të debatueshme të historisë italiane.

Pas më shumë se gjysmë shekulli, drejtësia italiane rikthehet te një prej mistereve më të mëdha të vendit, në përpjekje për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›