Paskal Milo homazhe në nder të ish-ambasadorit, Bashkim Zeneli! Historiani: E dashuronte profesionin e diplomatit, i përgatitur për role të rëndësishme, e dëshmoi gjatë konfliktit në Kosovë
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo ka marrë pjesë në homazhet në nderim të diplomatit Bashkim Zeneli, duke vlerësuar kontributin e tij në diplomacinë shqiptare dhe marrëdhënien e veçantë që kishte me të.
Milo u shpreh se ndarja nga jeta e Zenelit është një humbje e madhe, pasi sipas tij, ai mund të kishte dhënë ende shumë për vendin.
Ai tregoi se kishte qenë në kontakt me Zenelin deri në muajin shtator, kur diplomati po përgatitej të botonte librin e tij të fundit, kushtuar dy kancelarëve të Gjermanisë.
“Është një nga njerëzit e shquar të këtij vendi, që e humbëm në një koihë që mund të kishte jetuar akoma për të bërë punë të mëdha dhe punë të mira.
Isha në kontakt deri në shtator kur ai po bëhej gati të botonte librin e tij të fundit për dy kancelarët e Gjermanisë. Më kërkoi ti bëja parathënien dhe unë ia bëra dhe u ndamë për tu parë së shpejti për ta promovuar këtë libër, që për fat të keq ai nuk arriti por që do ta promovojmë në mungesë të tij në një kohë të ardhshme”, tha Milo.
Po ashtu, Paskal Milo tha se Bashkim Zeneli ishte një figurë e shquar e diplomacisë shqiptare dhe se e dashuronte profesionin, duke theksuar se këtë e tregoi edhe gjatë konfliktit në Kosovë.
“Me duhet t’ju them që e kam njohur në mënyrë të veçantë, si ambasador. Ka qenë dhe mbetet një nga figurat më të shuara të diplomacisë shqiptare. Ai e dashuronte profesionin e diplomatit. Ishte i përgatitur për të kryer role të tilla diplomatike dhe e dëshmoi gjatë konfliktit në Kosovë, ku zëri i tij dhe përcjellja e mesazheve tek autoritet gjermane ka qenë me rëndësi për të siguruar mbështetje”, tha ish ministri i Jashtëm.