“Nuk e duan të vdekur, por të trembur!”- Përplasjet Rama-Veliaj, Artan Hoxha: Është indikatori më i fortë se si ka lëvizur nga shinat kryeministri!
Gazetari Artan Hoxha, teksa ka komentuar përplasjet Rama-Veliaj dhe pretendimet e kryebashkiakut kërcënime të përcjella përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se pushteti nuk dëshiron që Veliajt t’i ndodhë fizikisht diçka, por synon ta mbajë të frikësuar, të shantazhuar dhe pa mundësi për të folur.

“Në këto momente, pushteti dhe ai që e drejton pushtetin nuk e duan Erion Veliajn të vdekur. E duan të trembur dhe me gojën kyçur. Në të kundërt, ai bëhet një hero dhe kthehet në akuzuesin e tyre, viktimën e tyre”, tha ai në News24.
Ai shtoi se një nga format më të forta të presionit ndaj kryebashkiakut është ekspozimi i familjarëve të tij, duke përmendur rastin e foshnjës, ku Ajola Xoxa e kishte në krah teksa shkon në dyert e burgut për ta takuar.
Ndër të tjera, gazetari theksoi se situata me Veliajn është një tregues i fortë i gjendjes politike dhe të mënyrës se si ka ndryshuar sjellja e kryeministrit.
“Ajo që po ndodh me Erion Veliajn, për mua, është indikatori më i fortë se në çfarë situate ka lëvizur nga shinat kryeministri i vendit”, përfundoi ai.
Artan Hoxha: Në këto momente, pushteti dhe ai që e drejton pushtetin nuk e duan Erion Veliajn të vdekur. E duan të trembur dhe me gojën kyçur. Në të kundërt, ai bëhet një hero dhe kthehet në akuzuesin e tyre, viktimën e tyre.
Në këto momente, ata janë më të interesuar, më shumë se kushdo tjetër, që Erion Veliajt fizikisht të mos i ndodhë gjë, por, nga ana tjetër, e duan të trembur, të shantazhuar, të kërcënuar.
Thashë, nuk ka kërcënim më të madh sesa foshnja që shkon te dera e burgut dhe kamera që ta filmon, sepse i kemi parë. Pse nuk i kanë bërë më parë?
E di sa kam tentuar unë të kapja ndonjë deputet të mazhorancës të hynte në burgun 302? Një javë rresht kemi lënë një njeri në një hotel, sepse personat hynin pas orarit zyrtar dhe, kur e kapëm, ministri i Drejtësisë asokohe, ka qenë Ylli Manjani, ka dhënë urdhër që nuk do të lejohej asnjë deputet të hynte në ambientet e paraburgimit pa specifikuar më parë pse do të hynte, çfarë do të thoshte, kë do të takonte dhe pse.
Ajo që po ndodh me Erion Veliajn, për mua, është indikatori më i fortë se në çfarë situate ka lëvizur nga shinat kryeministri i vendit.