Pas Francës, Britania do të dërgojë anije luftarake në Qipro

Mbretëria e Bashkuar po përgatitet të dërgojë një anije luftarake në Qipro, pasi Franca ka njoftuar një vendosje të madhe trupash në Mesdheun lindor.
Marina Mbretërore pritet të dërgojë HMS Duncan, një destrojer i tipit 45, në rajon pas sulmit me dronë iranianë ndaj bazës ajrore britanike RAF Akrotiri.
Ndërkohë, Franca ka nisur drejt zonës aeroplanmbajtësen bërthamore Charles de Gaulle së bashku me grupin e saj të sulmit.
Presidenti Emmanuel Macron ka urdhëruar gjithashtu vendosjen e armëve kundër dronëve dhe një fregatë në Mesdheun lindor.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Franca po kontribuon shumë më tepër sesa Mbretëria e Bashkuar në luftën kundër Iranit, duke shprehur zhgënjim për refuzimin e Londrës që të lejojë përdorimin e bazës amerikane në Diego Garcia për sulme ndaj Iranit.
Edhe shtetet e Gjirit kanë shprehur shqetësim për ngurrimin britanik, ndërsa rreth 300,000 britanikë ndodhen aktualisht në vende që janë nën presion nga Irani.
Një burim nga Whitehall tha për The Times se HMS Duncan, me rreth 200 marinarë, ka gjasa të mbërrijë në Qipro brenda një jave.
Sulmi me dronë iranianë Shahed goditi bazën RAF Akrotiri në mesnatë të dielën, ndërsa dy dronë të tjerë u neutralizuan të hënën. Sir Keir ka deklaruar se bazat ushtarake britanike mund të përdoren vetëm për qëllime mbrojtëse.
/rtsh.al/