E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasurim i koleksionit dhe forcim i kapaciteteve për restaurim, qasje e re në Galerinë Kombëtare të Arteve

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja paraqiti raportin strategjik për Galerinë Kombëtare të Arteve, gjatë një takimi pune me ekipin e Muzeut MAXXI.

Në bazë të memorandumit të bashkëpunimit, nënshkruar në Romë mes fondacionit MAXXI dhe Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë, institucionet do të kenë një bashkëpunim të pavarur institucional trevjeçar (2025–2028).

Raporti synon identifikimin e sfidave kryesore institucionale, analizën e modeleve bashkëkohore të administrimit dhe menaxhimit, propozimin e një strukture të re organizative, si dhe ndërtimin e një modeli financiar për qëndrueshmëri afatgjatë. Ministri Gonxhja shpjegon se, procesi do të pasohet nga programe trajnimi për stafin dhe zhvillimi i programeve kulturore, në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe rritjes së impaktit publik të Galerisë.

Galeria Kombëtare e Arteve do të ofrojë edhe një qasje të re dhe gjithëpërfshirëse në zhvillimin e saj artistik dhe institucional. Kjo qasje do të fokusohet në pasurimin e koleksionit përmes politikave të reja të blerjes dhe komisionimit, forcimin e kapaciteteve për restaurimin dhe konservimin e veprave të artit, zhvillimin e programeve kuratoriale bashkëkohore, si dhe zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare me institucione dhe rrjete muzeale.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet gjithashtu edukimit të brezave të rinj, përmes programeve edukative, ndërmjetësimit kulturor dhe përfshirjes aktive të publikut të ri, duke e kthyer Galerinë në një hapësirë dinamike mësimi, dialogu dhe krijimtarie.

Përmes partneritetit, Shqipëria përfiton ekspertizë shumëvjeçare të një institucioni lider në fushën e artit bashkëkohor dhe arkitekturës, siç është Fondacioni MAXXI – Muzeu Kombëtar i Arteve të Shekullit XXI në Romë. /j.p/

1 nga 7

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›