E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet seanca ndaj Ilir Metës-Monika Kryemadhi: Proces qesharak, dosja hetimore duhej të ishte mbyllur që në korrik

Pasi ka dalë nga seanca në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Monika Kryemadhi e ka cilësuar qesharak procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj saj, familjarëve dhe ish-presidentit Ilir Meta.

Teksa seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së avokatit të Monika Kryemadhit ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 11 nëntor, Kryemadhi vuri në dukje se dosja hetimore duhej të ishte mbyllur që në 27 korrik, por sipas saj, “prokuroria vazhdon heton, thërret dëshmitarë, merr letërporosi që do të thotë se hetimi për z. Meta, Monika Kryemadhe, mamanë time, Fatime Kryemadhi dhe të tjerët nuk paska mbaruar por vazhdon”.

“Është sa dhimbshme por edhe qesharake doja të thosha që sot ne jemi në këtë standard për shkak të asaj që ndodh edhe në këtë gjykatë, edhe në sistemin tonë të drejtësisë, siç e tha më parë edhe avokati, siç na u prezantua edhe nga prokurorët që vazhdon hetimi. Pra, nëse dosja hetimore duhej të ishte mbyllur në 27 korrik prokuroria vazhdon heton, thërret dëshmitarë, merr letërporosi që do të thotë se hetimi për z. Meta, Monika Kryemadhe, mamanë time, Fatime Kryemadhi dhe të tjerët nuk paska mbaruar por vazhdon”, u shpreh Kryemadhi në një prononcim për mediat.

Kryemadhi theksoi më tej se gjithçka që po ndodh aktualisht nga SPAK-u bëhet për të mbajtur Ilir Metën në burg dhe ushtruar presion ndaj vetë Kryemadhit dhe familjarëve të saj.

“Çka do të thotë se ne jemi në hetim paraprak dhe arsyeja që është vepruar në mënyrë të tillë është arsyeja për të mbajtur z. Meta në burg, për të mbajtur Monika Kryemadhin dhe familjarët e saj nën presion dhe për të arritur një inat personal që nuk e di të kujt e ka. Sigurisht që ata që duan ta bëjnë janë ushtarë të Yuri Kimit edhe pse sot është në largim e sipër. Megjithatë, një gjë të mirë kishte sot seanca sepse sot ne kemi persona që kanë paguar fatura në emër të të ashtuquajturës LSI gjë në këtë moment ajo që nxjerr në pah është grushti i shtetit që mund të quhet ose puçi qoftë ndaj familjes time apo rrethit tonë shoqëror”, tha Kryemadhi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›