E Hënë, 2 Nëntor 2026

Peleshi pret Gonzaton: Bashkëpunim për rezultate konkrete nga reformat, për qytetarët

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në takim ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit europian dhe rolin udhëheqës që Kuvendi i Shqipërisë ka në këtë drejtim.

Në qendër të bisedës ishte bashkëpunimi i mëtejshëm ndërmjet institucioneve shqiptare dhe delegacionit të BE-së për të garantuar që reformat e ndërmarra të përkthehen në rezultate konkrete për qytetarët.

Kryeparlamentari Peleshi theksoi se transparenca, dialogu dhe funksioni mbikëqyrës i Kuvendit janë themeli mbi të cilin ndërtohet besimi dhe qëndrueshmëria e këtij procesi.

Peleshi nënvizoi se, Kuvendi i Shqipërisë mbetet institucioni qendror ku reflektohet vullneti i qytetarëve dhe ku miratohen reformat që e afrojnë vendin tonë me familjen europiane.

Ndërkohë, Ambasadori Gonzato rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Europian për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit dhe vlerësoi angazhimin e Kuvendit për përmbushjen e prioriteteve të integrimit.

Gonzato vlerësoi se në këtë moment kyç të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Parlamenti luan një rol kryesor.

Ambasadori Gonzato theksoi rolin e rëndësishëm të kryetarit në sigurimin e dialogut të hapur dhe debatit konstruktiv në Parlament mbi të gjitha reformat e lidhura me BE-në, duke respektuar plotësisht autonominë e institucionit parlamentar. Në këtë kuadër ai nënvizoi edhe rëndësinë që të gjitha forcat politike të jenë të afta dhe të gatshme të kontribuojnë në këtë proces.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për një Parlament më transparent që e afron Kuvendin me qytetarët dhe i bën ata pjesë të rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

“Delegacioni i BE-së do të vazhdojë të punojë me dhe të mbështesë Parlamentin në këtë proces të rëndësishëm transformues”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të delegacionit të BE-së në Tiranë në lidhje me takimin.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›