Rama: Çlirimi i hapësirave publike vijon edhe në Pogradec

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme është shtrirë në të gjithë territorin e vendit.
Për t’iu përgjigjur problematikës së ndërtimeve pa leje qeveria po përgatit edhe një paketë masash ligjore ndaj zyrtarëve të shtetit që janë përgjegjës për shkeljet në këtë drejtim.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet që po ndërmerren në Pogradec, ku po shemben ndërtimet që cenojnë hapësirat publike.
Konkretisht në Pogradec po ndërhyhet për shembjen e mureve rrethuese apo platformave e shkallëve të betonit që janë ndërtuar pa leje nga subjekte private apo familjarë.
Për raportimin e ndërtimeve pa leje është vënë në dispozicion të qytetarëve platforma “Hapësira ime publike”, ku deri tani janë raportuar 11 886 raste. Nga këto janë zgjidhur 8 668 raste, ndërsa 3 218 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, që ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal, i cili është hedhur për diskutim publik, parashikohen ndëshkime më të ashpra.
Ndërkohë, një tjetër mekanizëm që do të jetë në funksion të subjekteve private do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.
Konkretisht për çdo karrige të vendosur në hapësirën e kufizuar, subjekti duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re.
/m.m/j.p/