E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia Kufitare e Rinasit: Faktet e publikuara për konfliktin në aeroport, të pavërteta

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Policia Kufitare në aeroportin e Tiranës, reagoi sot me një sqarim publik, pas videove të publikuara në rrjetet sociale, lidhur me një konflikt të ndodhur gjatë imbarkimit në këtë aeroport.

Policia sqaroi se në 6 shtator, rreth orës 02.30, gjatë imbarkimit të pasagjerëve që udhëtonin me çarter në Antalia, disa prej tyre kanë debatuar me punonjësit e check in për çështje radhe, pasi kërkonin të kalonin bashkërisht dhe pa radhë, për shkak të fëmijëve të vegjël që kishin.

Sipas njoftimit, nga stafi i aeroportit është kërkuar ndihma e policisë dhe pas ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, konflikti është mbyllur.

“Kryefamiljari, shtetasi A. M., dhe djemtë e tij, që po udhëtonin familjarisht (rreth 18 shtetas, familjarë bashkë me fëmijë të mitur) për pushime në Antalia, Turqi, u kanë kërkuar falje punonjësve, të cilët nuk kanë dashur të ushtrojnë të drejtën e ankimit dhe të vijonin më tej procedurat për këtë rast”, thuhet në njoftim.

Policia Kufitare e Rinasit nënvizon në njoftim se “duke parë reflektimin pozitiv të familjarëve dhe duke marrë parasysh faktin që kishin edhe fëmijë të mitur me vete, si dhe faktin që punonjësit nuk donin të bënin kallëzim, punonjësit e Policisë Kufitare të Rinasit i kanë këshilluar për moskryerje të veprimeve të tilla dhe i kanë lejuar të vijonin udhëtimin”.

Policia sqaron faktin se pretendimet se personat e përfshirë në konflikt janë familjarë të shtetasit Xh. Q., nuk janë të vërteta.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›