Pengesat për ndërtimin e urës që do të lidhë Siçilinë me pjesën kontinentale të vendit përplas sërish Melonin me Gjyqësorin

Një urë që ishte planifikuar të ndërtohej në Sicili ka përplasur sërish qeverinë e kryeministres italiane Giorgia Meloni me gjyqësorin e vendit.
Kjo, pasi Gjykata e Auditorëve, e cila ka një vend të veçantë në sistemin gjyqësor italian, vendosi të mos miratonte vendimin e qeverisë italiane për projektin prej 13.5 miliardë eurosh për ndërtimin e një ure që do të lidhte Sicilinë me pjesën kontinentale të vendit.
Gjykata, që mbikëqyr shpenzimet publike, u shpreh se arsyet e vendimit të saj do t’i publikojë brenda një periudhe 30-ditore, ndërkohë që muajin e shkuar kishte kërkuar sqarime mbi dokumentacionin e përdorur në projekt dhe kostot e tij.
Meloni e cilësoi lëvizjen e gjykatës si një tjetër ndërhyrje të gjyqësorit në vendimet e qeverisë dhe parlamentit.
“Reforma e sistemit të drejtësisë dhe ajo e Gjykatës së Auditorëve, që po diskutohen dhe do të miratohen në Senat, janë përgjigjja më e mirë ndaj kësaj ndërhyrjeje të patolerueshme, e cila nuk do ta ndalë veprimin qeveritar,” u shpreh Meloni në një deklaratë publikuar të mërkurën.
Me të njëjtat tone foli edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Matteo Salvini, i cili vendimin e gjykatës e cilësoi politik.
Por një ditë më pas, pasi mblodhi qeverinë, tonet u zbutën.
“Presim me durim gjetjet e Gjykatës së Auditorëve, të cilave besojmë se mund t’u përgjigjemi pikë për pikë, pasi kemi përmbushur të gjitha kërkesat,” tha Salvini për mediat.
Prej dekadash, politikanët italianë kanë debatuar për urën mbi Ngushticën e Mesinës, një rrip i ngushtë ujor që ndan Sicilinë nga krahina e Kalabrisë.
“Kemi pritur një shekull dhe mund të presim edhe një muaj,” u shpreh Salvini.
Qeveria e Melonit shpreson se përmes kësaj vepre infrastrukturore do të nxitet zhvillimi ekonomik i jugut të Italisë, ndërkohë që kërkon që ura të kategorizohet si aset strategjik kombëtar.
Por kritikët paralajmërojnë se projekti mund të kthehet në një “vrimë të zezë” financiare, ndërsa banorët lokalë kanë zhvilluar protesta për shkak të ndikimit që mund të ketë në mjedis.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/