E Martë, 3 Nëntor 2026

Përfitoi mbi 200 tendera me dokumente false, Prokuroria kërkon arrestimin e sipërmarrësit

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrestimin e Ervis Mirit, pasi dyshohet se që prej vitit 2016 merrte tendera për trajtimin e mbetjeve spitalore, pa pasur pajisje për kryerjen e kësaj pune.

Sipas Prokurorisë, Miri ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderi për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016 e në vijim, duke dorëzuar dokumentacion të rremë.

Ai pretendonte se kishte kapacitete për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore duke i kthyer ato nga të dëmshme në të padëmshme, por nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë.

Prokuroria shkruan se Miri, në bashkëpunim edhe me personin me inicialet E.Sh, kanë përpiluar akte të rreme prej vitit 2015 e në vijim, duke pasqyruar në kërkesat e tyre drejtuar AKM-së, nëpërmjet QKB-së, si dhe raporteve të vetmonitorimit periodike në funksion të Lejes së Tipit B, një pajisje të tipit Econos Tsc 150, e cila në fakt është instaluar pas muajit Janar të vitit 2024.

“Personi juridik, është inspektuar nga punonjësit shtetëror I.B, dhe K.A, por është mbuluar nga këta të fundit për mungesën e paisjes Econos Tsc 150. Po kështu, edhe inspektorët shtetërorë J.Sh, E.P, A.M, N.D, A.K, B.L, kanë mbuluar veprimtarinë reale të personit juridik, duke mos raportuar pika shkarkimi në ajër dhe tokë të pajisjes Mangazini, të identifikuar nga Ing G.T, në historik, si dhe duke mos raportuar se në vend të ushtrimit të aktivitetit, gjendet i instaluar vetëm një incerenator. Rezulton e provuar se pajisja Econos TSC 150, e këqyrur nga oficerët e policisë gjyqësore, është importuar, në datën 22.01.2024, nga personi juridik ndryshe nga sa ka deklaruar personin nën hetim E.M, se pajisjen Econs TSC 150 e ka importuar dhe instaluar në vitin 2016.

Në këto kushte ngrihen dyshime se me mungesën e pajisjes Econos Tsc 150, dhe mungesën e një prej incenenatoreve, personi juridik, të mos ketë pasur aftësi të përmbushë objektin e kontratave të lidhura me palë të treta për trajtimin e mbetjeve spitalore. Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të enteve publike si dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm, ekspertimeve kontabël, në raport me pasojat që mund të kenë ardhur mbi ndikimin në mjedis, ndër vite”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›