Përfundon numërimi i votave për kandidatët për katër qarqe

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tashmë ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët për qarqet Gjirokastër, Vlorë, Kukës dhe Berat.
Në Gjirokastër, janë numëruar 198 qendra votimi nga 198 në total dhe kandidati i Partisë Socialiste Tërmet Peçi rezulton më i votuari nga lista e PS-së për këtë qark me 9468 vota, ndërsa i dyti renditet Pirro Dhima me 6902 vota.
Nga koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, kandidatja më e votuar është Alma Kore me 3569 vota.
Në qarkun e Vlorës, janë numëruar të 449 qendrat e votimit dhe nga Partia Socialiste, kandidati që renditet i pari si më i votuari është Damian Gjiknuri me 10031 vota, ndërsa i dyti renditet Vullnet Sinaj me 8757 vota.
Nga Koalicioni PD-ASHM, më i votuari është Petraq Gjikuria me 3533 vota.
Edhe në qarkun e Kukësit ka përfunduar numërimi për votat e kandidatëve në 139 qendra votimi, ku nga koalicioni PD-ASHM, më i votuari është kandidati Shkëlqim Shehu me 7493 vota, ndërsa i dyti Isuf Çelaj me 7060 vota.
Nga Partia Socialiste, i pari në listën e kandidatëve është Alban Zeneli me 4207 vota.
Edhe në qarkun e Beratit ka përfunduar numërimi në 275 qendra votimi në total, ku nga Partia Socialiste kandidati Hysen Buzali rezulton më i votuari me 8189 vota, ndërsa i dyti renditet Fadil Nasufi me 6287 vota.
Nga Koalicioni PD-ASHM i pari në renditje është kandidati Parid Mahmutaj me 7133 vota.
/j.p/r.e/