E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prangoset në Rinas anëtari i grupit kriminal, në kërkim për trafik droge drejt BE-së

Policia e Shtetit arrestoi në hyrje të aeroportit të Rinasit, shtetasin R. M., 52 vjeç, banues në Vlorë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale të rënda.

Operacioni u krye nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Rinas, në momentin që i kërkuari po kthehej në Shqipëri nga jashtë vendit.

Ai ishte në kërkim ndërkombëtar prej pesë vitesh, me masë sigurie “arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).

Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.63, të datës 22 qershor 2020, i ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest në burg”, për 5 veprat penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.

“I arrestuari është hetuar në kuadër të një procedimi penal nga SPAK ku nga hetimet ka rezultuar si i përfshirë në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, në trafikimin e sasive të konsiderueshme të Cannabis Sativës nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, në periudhën 2016-2018”, sqaroi policia.

Materialet hetimore ndaj tij i kaluan Prokurorisë së Posaçme për veprime të tjera proceduriale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›