Përfundon rinumërimi në Fier, ndryshime brenda PS-së

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Procesi i rinumërimit të votave në qarkun e Fierit ka përfunduar. Nga hapja e 587 kutive të votimit, ndryshime pati brenda Partisë Socialiste për sa i përket shpërndarjes së mandateve për këtë qark.
Nga rinumërimi ka humbur mandatin Zegjine Çaushi, mandat të cilin e mori Maldrita Bardho me 10 vota diferencë. Rinumërimi i votave brenda vendit i hoqi Çaushit 48 vota, dhe tashmë rezulton me 4626 vota, duke i shtuar edhe votat e diasporës. Nga ana tjetër me rinumërimin, Maldrita Bardhos i shtohen 26 vota dhe shkon në 4636 vota në total bashkë me votat e diasporës.
Lidhur me rinumërimin, anëtari i KAS, Ledio Braho u shpreh se ky proces i shërbeu transparencës dhe demokracisë.
“Në qarkun e Fierit rezultoi të kishte lëvizje masive votash mes kandidatëve dhe jo subjekteve zgjedhore dhe mendoj se kjo i shërben transparencës, i shërben edhe drejtësisë, sepse besoj se do të merren masat e duhura që tjetërsim të tilla të qindra votave të mos ndodhin më në zgjedhje të tjera. Si rokada që ndodhi brenda PS, po ashtu edhe shifrat që u prodhuan edhe aty ku nuk pati rokadë, i shërben transparencës, demokracisë dhe i shërbejnë pasqyrimit të vullnetit të qartë të zgjedhësve. Kështu që për kaq kohë sa arritëm të bënim transparencë qoftë edhe nëpërmjet ndryshimit të një mandati, unë besoj që ky proces ia vlejti”, u shpreh Ledio Braho.
Braho theksoi se rezultatet nga rinumërimi në Fier janë një indicie e mjaftueshme që Prokuroria e Fierit të nisë hetim për trafikim të votave.
“Tani Prokuroria nuk besoj që nuk është në dijeni, se edhe ata ndjekin lajme siç ndjekin të gjithë shqiptarët, por unë e diskutova sot edhe me kolegët, që ne kur të marrim vendimin do të mbajmë edhe një qëndrim lidhur me faktin se si do të procedojmë, por në çdo rast unë do t’ia çoj Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier vendimin me tabelën e ndryshuar bashkë me procesverbalet ku pasqyrohen diferencat dhe besoj se kjo është indicie e mjaftueshme që Prokuroria e Fierit të nisë hetimin për trafikimin e votave”, theksoi Braho.
/m.q//a.f//r.e/