E Martë, 3 Nëntor 2026

Abdixhiku: LVV në shkelje, do t’i drejtohemi sërish Kushtetueses

PRISHTINË, 2 korrik/ATSH/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta qartësuar nëse Lëvizja Vetëvendosje si grupi më i madh parlamentar në Kuvend ka shkelur aktgjykimin e këtij institucioni, sa i përket ngërçit politik në Kuvend.

Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari dhe LVV-ja kanë shkelur rendin kushtetues në dy seancat e fundit konstituive, duke mos respektuar vendimin e Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka nxjerrë aktgjykim sa i përket krizës politike në Kuvend, megjithatë partitë parlamentare kanë interpretime të ndryshme për të njëjtin. Në LVV thonë se përmes këtij aktgjykimi lejohet votimi i fshehtë i kryeparlamentarit, por të kundërtën e thonë në partitë e tjera parlamentare si PDK, LDK dhe AAK.
Abdixhiku kritikoi Kurtin duke thënë se ai po qeverisë me rezultat të para katër viteve, madje sipas tij, nëse i njëjti do të kishte moral politik nuk do ta mbante postin e kryeministrit në detyrë, derisa nuk e dëshiron populli.

18 vjet nga miratimi i deklaratës për përcaktimin e statusit të Kosovës
“Kurti po qeverisë me rezultat të para katër viteve. Ai i ka pasur 50 për qind para katër viteve, prandaj ka qenë kryeministër. Mirëpo tash nuk i ka dhe meqenëse nuk i ka, s’ka legjitimitet dhe pak moral politik – se si mund të mbash një detyrë kur nuk të dëshiron populli… Këto janë qëndrime paraprake që e kanë shkaktuar krizën. Këto nuk janë kompromise dhe nuk ka lëvizje prej pozicioneve që kanë shkaktuar krizën deri tani. Edhe atë ditë në takim dhe para jush po them: kompromis është insistimi në pozicionin paraprak. Kompromisi pas aktgjykimit të Kushtetueses është i pakuptimtë dhe tani duhet zbatuar ai, përndryshe bëjnë shkelje të rënda ligjore. LDK-ja do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që ajo të qartësojë aktin e tanishëm. Pas aktgjykimit, për bindjen tonë ka ndodhur një përmbysje e rendit kushtetues të Kosovës. Partia e parë ka refuzuar të respektojë Gjykatën Kushtetuese. Ajo duhet të deklarohet – ka bërë shkelje apo jo LVV-ja”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë, ku detyrohet partia e parë në zgjedhje, LVV-ja, për bashkëpunim dhe kompromis në konstituimin e legjislaturës së nëntë. Ndërkaq, siç thotë lideri i LDK-së, nënvizohet se nuk lejohet votimi i fshehtë i kryeparlamentarit, por i hapur sipas praktikave të deritanishme. Megjithatë, Abdixhiku tha se është e mirëseardhur përfshirja e presidentes Osmani në zgjidhjen e krizës politike.

Gjatë ditës, Osmani ka pritur në takim edhe kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, derisa tani ka përfunduar takimin me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›