E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon sot afati 7-ditor për aplikim për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Mbyllet sot afati 7 ditor për aplikim për garën e postit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Deri më tani mësohet se janë paraqitur 2 aplikime, bëhet fjalë për drejtorin e Policisë së Vlorës, Elidon Çela dhe drejtori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në DPPSH, Pëllumb Seferi.

Në orët në vijim pritet të dorëzojnë aplikim edhe emra të tjerë, përfshirë drejtorin e Policisë së Fierit, Skënder Hita, i Durrësit, Afrim Tafa, drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Në garë pritet të jenë edhe drejtues të tjerë. Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Brenda 10 ditëve, një Komision i Posaçëm i përbërë nga 3 persona, me kryetar një zëvendësministër i Brendshëm, dhe 2 anëtarët, sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kryen vlerësim paraprak për verifikimin e kushteve ligjore.

Kujtojmë se një javë më parë, Ilir Proda u shkarkua nga drejtimi i Policisë së Shtetit. Proda iku për shkak të menaxhimit jo të duhur të protestës së opozitës.

Dy ditë pas shkarkimit nga detyra të Prodës, Ministria e Punëve të Brendshme shpalli thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›