Përfunduan zgjedhjet në Maqedoni
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi mbrëmë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, me ç`rast VMRO-DPMNE ka fituar 63 deputetë, LSDM 27, BDI 18, PDSH 11 dhe PAE 1 deputet.
Në rivotimet e djeshme në 15 qendra votimi nga 14.551 votues në njësinë e 1 dhe 6 zgjedhore kanë votuar 6.010 votues apo 41,30 për qind dhe kjo nuk ndryshoi në rezultatin e përgjithshëm të numrit të deputetëve.
Kryetari i KSHZ-së, Jovan Josifovski deklaroi se rivotimet u zhvilluan në një atmosferë të rregulltë, pa ndonjë incident serioz, përveç në fshatin Bojanë të Shkupit, ku përkohësisht u mbyllën dy qendra votimi, për shkak të parregullësive.
KSHZ sot pasdite do të mbajë konferencën e rregullt për të njoftuar lidhur me rezultatet përfundimtare të rivotimit, procesin e zgjedhjeve dhe për mandatet e fituara nga partitë politike.
Partia Demokratike Shqiptare(PDSH) deklaroi se nuk ka qenë e interesuar për rivotimet dhe se është bojkotuar ky proces.
“Kjo është një shenjë proteste për shkak të vjedhjes së 60 mijë votave të shqiptarëve nga ana e KSHZ-së dhe Gjykatës Supreme.KSHZ legalizoi vjedhjen e votave dhe shkeli rregullat themelore të demokracisë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Imer Aliu.
Ai tha se votat e fituara nga BDI nuk janë vota, por fletëvotime të Ali Ahmetit.
BDI konfirmoi fitoren në këto rivotime dhe vërtetimin e mandatit të dy deputetëve të saj. “Në emër të Shtabit të zgjedhjeve të BDI-së me lejoni ta konfirmoj fitoren tonë bindëse.BDI me këtë dëshmon se është fituese e zgjedhjeve dhe përfaqëson vullnetin e shumicës së shqiptarëve”, tha kryetari i Shtabit të BDI-së Izet Mexhiti.
KSHZ paralajmëroi se me këto rivotime do të mbyll procesin zgjedhor me një raport përfundimtar për rrjedhën e zgjedhjeve të 1 qershorit dhe rivotimet e 15 dhe 29 qershorit.(INA)