Torres mposht Gjermaninë, Spanja kampione Europe
Spanjollët kanë finalizuar me sukses një kampionat të shkëlqyer, duke mposhtur 1-0 gjermanët
Spanja fiton për herë të dytë një kampionat europian, pasi ka mposhtur 1-0 Gjermaninë. Në finalen e mbrëmshme, në Vjenë, ka vendosur një gol i sulmuesit të Liverpulit, Fernando Torresit, i cili ka qenë një rrezik permanent deri në momentin që u zëvendësua nga Giza. "El Ninjo" fitoi duelin e shpejtësisë me mbrojtësin Lam, në minutën e 33-të, dhe më pas mposhti portierin Jens Lehman. Deri në këtë minutë, loja ka qenë më e mirë për spanjollët, por pa rrezikshmërinë e duhur. Iberikët i kanë vazhduar sulmet, në kërkim të golit të dytë, ndërsa në radhët e gjermanëve ka pasur shumë nervozizëm. Pjesa e parë është mbyllur me epërsinë minimale të spanjollëve, epërsi që është ruajtur deri në vërshëllimën përfundimtare të italianit Roseti. Edhe pjesa e dytë ka qenë më e mirë për Spanjën, që mund ta kishte dyfishuar rezultatin, por portieri Lehman u bë shpëtimtar i Gjermanisë në disa raste. Trajneri Lëv, përveç Jansenit, i cili zëvendësoi Lamin në fillim të pjesës së dytë, hodhi në fushë edhe dy sulmuesit që kishte në dispozicion, Kuranjin edhe Gomezin. Megjithatë, Gjermania në asnjë çast nuk u shfaq si një skuadër e denjë për të fituar një ndeshje finale. "Pancerat" nuk e vunë asnjëherë në rrezik serioz portierin Kasiljas, ndërkohë që spanjollët e adminustruan me qetësi rezultatin, duke e qarkulluar mjaft saktë topin. Trajneri Lius Aragones, duke mos pasur në dispozicion golashënuesin më të mirë të europianit, David Vilën, luajti vetëm me Torresin në sulm dhe me Fabregasin titullar. Më pas, ai bëri zëvendësimet e zakonshme, duke aktivizuar Ksavi Alonson, Kazorlën dhe Gizën. Spanja ka luajtur një finale shumë të mirë se kundërshtari dhe e ka merituar plotësisht titullin. Trofeun prestigjoz, kapitenit Iker Kasiljas ia ka dorëzuar presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. Gëzimi ka qenë plotësisht i ligjshëm për spanjollët, të cilët kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë në këtë kompeticion. Spanja i ka fituar të gjitha ndeshjet (6) e Euro 2008-ës, duke i bindur të gjithë se është skuadra më e mirë e Europës. I dyfishtë ka qenë suksesi për sulmuesin Vila, i cili, edhe pse nuk luajti në finale për shkak të një dëmtimi, është shpallur edhe shënuesi më i mirë. Për gjermanët, pas zhgënjimit në gjysmëfinalen e botërorit 2 vjet më parë, me Italinë, do të ketë një tjetër kujtim të hidhur. Kapitenit Mikael Balak i duhet të kënaqet me një tjetër vend të dytë, sepse mbrëmë ai ka humbur finalen e 10-të në karrierën e tij. Kampionë Europe janë spanjollët, falë një grupi të shkëlqyer lojtarësh, që ka bërë diferencën në këtë kampionat.