Përkeqësimi i kushteve të motit, pezullohet lundrimi për mjetet e vogla dhe të peshkimit në Vlorë

Prej orës 6 të mëngjesit të kësaj marte, 28 janar, është pezulluar në Vlorë lundrimi detar për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit.
Shkak janë bërë kushtet hidrometeorologjike detare të përkeqësura brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 28-29 janar.
Era deri 15-35m/s në drejtimin jug-jug-lindje dhe veri-veri-lindje është në forcën deri 7-8bft ndërsa 1.50 deri 3.50 metra është lartësia e dallgëve.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, Kapiteneria Vlorë kërkoi bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht.
Sipas kapitenerisë përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 10:00 të datës 29 janar./vizionplus.tv