Përmbyllet aksioni i IKMT në Theth, shembet me shpërthim ndërtesa trekatëshe

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me mbështetjen edhe të Policisë së Shtetit, shembi sot me shpërthim të kontrolluar një ndërtesë trekatëshe në Theth.
Kjo ndërhyrje vjen në përmbyllje të aksionit disaditor të IKMT-së për shembjen e objekteve të ndërtuara pa leje në këtë zonë.
IKMT njofton se objekti trekatësh me papafingo, i ndërtuar me konstruksion betonarme dhe mure me tulla u shemb me shpërthim të kontrolluar. “Gjatë përgatitjes dhe procesit të demolimit u zbatuan masa të rrepta sigurie për shmangien e çdo lloj rreziku. Aksioni përfundoi me sukses”, njoftoi IKMT në rrjetin sociale Facebook.
Ndërkohë që nga dje në Theth ka nisur, me mbështetjen e forcave të xhenjos, edhe pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin ngritur mbi 100 ngrehina pa leje, nga ato me mure, tek ato me konstruksion metalik e me dru, në shkelje të ligjit për zonat e mbrojtura.
Kryeministri Edi Rama tha një ditë më parë se, “ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”.
/k.s//r.e//a.f/