E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyset furgoni me turistë në Lushnjë, 4 të lënduar

Një furgon me turistë është përmbysur paraditen e sotme në fshatin Çiflig të Lushnjës, pasi drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një kanal anës rrugës.

Sipas të dhënave të policisë rrugore, furgoni drejtohej nga një shtetas polak dhe në automjet ndodheshin 8 pasagjerë, të cilët po udhëtonin drejt Beratit për turizëm.

Katër prej tyre kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit, ndërsa të tjerët kanë shpëtuar pa dëmtime.

Policia i ka kryer testin e alkoolit drejtuesit të mjetit, i cili ka rezultuar negativ.

Sipas deklarimeve të shoferit, grupi i turistëve ishte nisur nga Tirana në orët e para të mëngjesit, rreth orës 06:00, me dy furgona që udhëtonin njëri pas tjetrit.

Pas aksidentit, turistët e padëmtuar janë sistemuar në furgonin tjetër dhe kanë vazhduar udhëtimin drejt Beratit.

Ndërkohë, drejtuesi i furgonit është shoqëruar në komisariat për të sqaruar rrethanat e ngjarjes./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›