Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut u marrin jetën 277 banorëve në Indinë Jugore

Bilanci i jetëve të humbura nga rrëshqitjet e dheut në jug të Indisë vazhdon të rritet, ndërsa mbi 200 persona mbeten të zhdukur.
Autoritetet në shtetin e Keralës njoftuan se 277 persona kanë vdekur nga erozioni që shkaktuan dy ditë me shira të rrëmbyer në distriktin e Uajanadit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit vijuan operacionet në zonat e pyllëzuara dhe kodrinore, ku zbuluan të enjten 40 trupa përgjatë lumit të Çalijarit.
Kushtet atmosferike në pjesën jugore të kontinentit u rënduan të martën. Përmbytjet shembën shtëpitë dhe shkatërruan urat që lidhnin fshatra të tërë ku rriten çaji dhe bimë aromatike si kardamomi, duke i lënë ata nën baltë.
“Është një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha që ka goditur ndonjëherë shtetin e Keralës,” tha zyrtari më i lartë i Keralës, Pinaraj Vijajan (o. Pinarayi Vijayan).
Më shumë se 5.500 banorë është arritur të shpëtohen me ndërhyrjen e gati 1.100 efektivëve, me helikopterë dhe mjete të rënda. Mbi 8 mijë persona po ashtu janë shpërndarë në kampet e ngritura nga qeveria.
Kerala është një nga destinacionet më të preferuara për turizëm në Indi, por preket shpesh nga shirat e rrëmbyer, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Vetëm të hënën dhe të martën, raportoi Departamenti Indian i Meteorologjisë, në distriktin e Uajanadit ranë mbi 28 cm shi. Sezoni i shirave në Indi shtrihet mes qershorit dhe shtatorit. /AP, Tass
/rtsh.al/