Përplasi për vdekje 56-vjeçaren në Golem, arrestohet 19-vjeçari

Arrestohet shoferi i aksidentit fatal me pasojë vdekjen e një 56-vjeçareje në Golem. 19-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Një ditë më parë (26 tetor), një 56-vjeçare humbi jetën në Golem të Kavajës si pasojë e përplasjes fatale nga automjeti me drejtues 19-vjeçarin R.F.
Ky i fundit duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin si pasojë e lagështirës në rrugë dhe ka aksidentuar 56-vjeçaren, e cila ishte këmbësore.
Fatkeqësisht, 56-vjeçarja nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë paraditen e djeshme, mbi aksidentin në Golem, me pasojë vdekjen e shtetases Sh. Sh., ju informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit që përplasi këmbësoren, shtetasit R. F., 19 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/