Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjykata e Apelit lë në burg xhaxhain e autorit të krimit dhe punonjësin e sigurisë

Tre javë pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, Gjon Shkambi kërkoi lirinë nga burgu, por Gjykata e Apelit me relator Genti Shalën e refuzoi, duke lënë në fuqi masën “arrest në burg”.
Në seancën me dyer të mbyllura, Shkambi deklaroi se nuk kishte dijeni për veprimet e nipit të tij, Elvis Shkambit ekzekutorit të gjyqtarit dhe se do ta kishte parandaluar ngjarjen po ta dinte. Ai shprehu ngushëllime për familjen e gjyqtarit dhe mohoi çdo përfshirje, duke theksuar se konfliktet e tij për pronat i ka ndjekur gjithmonë në rrugë ligjore.
Ndërkohë, roja i gjykatës, Banush Koxhaj, mbetet në burg i akuzuar për shpërdorim detyre edhe pse avokatja e tij kërkoj lirinë me argumentin se ishte i patrajnuar dhe përveç kësaj, ishte sëmurë.
Ngjarja ndodhi më 6 tetor, gjatë një seance për një konflikt pronësie që zgjat prej 30 vitesh.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/