Përplasi për vdekje dy të mitur në Durrës, policia: 57-vjeçari ishte i dehur, iu pezullua patenta dy herë

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër u lëndua si pasojë e një aksidenti tragjik në Durrës.
Policia njoftoi sot se oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Sipas policisë, nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.
Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Policia njoftoi se, nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, sipas policisë, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
/m.q/j.p/r.e/