“Përplasja Veliaj-Rama, lajm i mirë për PD”, Lami: Konflikti i tyre “zgjoi” interesin e demokratëve për zgjedhjet në Tiranë

TIRANË- Analisti Roland Lami, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe përplasjet e pretenduar mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryeministrit Edi Rama.
Sipas Lamit, zhvillimet e fundit brenda PS-së përbëjnë një mundësi për Partinë Demokratike, e cila mund të përpiqet ta shfrytëzojë politikisht konfliktin për të përfituar nga ndasitë brenda kampit socialist.
Lami theksoi se kjo është një strategji që, sipas tij, është përdorur edhe më parë nga partitë politike, të cilat shfrytëzojnë përçarjet në kampin kundërshtar për t’i kthyer ato në avantazhin e tyre politik.
Ai shtoi se deri më tani Partia Demokratike nuk kishte treguar interes të veçantë për fushatën e zgjedhjeve lokale në Tiranë, ndërsa, sipas tij, zhvillimet mes Veliajt dhe Ramës kanë ndryshuar këtë situatë.
Sipas Lamit, konflikti mes kryebashkiakut dhe kryeministrit është elementi që ka zgjuar interesin dhe ka rritur shpresat në radhët e demokratëve.
“Ngjarjet që kanë ndodhur brenda PS është një lajm i mirë për PD, e cila do ta shfrytëzojë, sepse maksima: “armiku i armikut tim është miku im”, ky raste është ideal, për të tentuar për të gërryer PS, dhe për të ndarë vota që ka Erion Veliaj brenda Partisë Socialiste.
Këtë gjë ka bërë PS, këtë ka bërë PD më përpara, kjo ligësia e sjelljeve të partive politike, që çarjet brenda kampeve rivale i shfrytëzojnë për ti kthyer në favor të tyre. Mortaliteti këtu ka ikur dhe ka marrë lumin.
Këtu jemi tani ën logjikë të pastër politike. Unë po shpjegoj se pse është entuziaste PD. Pse është lajmi i mirë dhe shpresë për PD, sepse deri dje, PD ka qenë e vetmja forcë politike ka qenë e painiteresuar mbi fushatën e zgjedhjeve lokale në Tiranë.
I vetmi që ka zgjuar interesin dhe ka rritur shpresat te PD është konflikt që ka ndodhur mes kryetarit të bashkisë që e kemi në detyrë akoma dhe kryeministrit të Shqipërisë. Janë të dyja palët dhe kanë dalë me letra. Ti pret me dalë me doreza boksi ata?”, tha ai.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

