Përplasja me Erion Veliajn, a e keni kërcënuar kryebashkiakun? Rama: E rëndësishme për mua sa zhurma e makinave në bulevard
Kryeministri Edi Rama ka komentuar akuzat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg, se kreu i qeverisë e ka kërcënuar.

I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës me ambasadoren e BE-së, Rama zgjodhi të mos ndalet gjatë te përplasja mes tyre, duke i cilësuar akuzat si të parëndësishme.
“Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq të rëndësishme janë për mua ato që pyeteni ju”, u përgjigj Rama.
Rama vijoji duke folur për arritjet dhe objektivat e qeverisë: “Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë, me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur sot në këtë konferencë. Objektivin historik të bashkimit të vendit tonë me Europën dhe moslejimin e humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë”.
Erion Veliaj ka publikuar nje dite me pare nga qelia e burgut të Fierit shënimet e ditarit të tij për takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, të cilit i është përgjigjur për kërkesat që i janë përcjellë nga kryeministri Edi Rama, ku ky i fundit, sipas Veliajt e ka kërcënuar dhe i ka kërkuar të delegojë firmën.
Në shënimet e publikuara, Veliaj shprehet se nuk është organizator apo financues i protestave, duke i cilësuar akuzat si sajesa dhe duke i krahasuar me propagandën e kohës së Enver Hoxhës.
“Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm”,shkruan ai.
Veliaj ka reaguar ashpër edhe ndaj mundësisë së transferimit të tij në një tjetër burg, duke deklaruar se nuk do të përkulet dhe as do të shantazhohet, pavarësisht vendit ku do të dërgohet.
“Jo këtu, po në Spaç të më çoni 100 vjet nuk më përkulni dot. Ta harrojë R.”, shkruan Veliaj, duke iu referuar kryeministrit Rama. “Turp që KM merret vetë me internimet”, shkruan Veliaj, duke shtuar se nuk e konsideron transferimin si ndonjë “nder” që duhet t’i bëjë kryeministrit.
“Çfarë ‘nderi’ duhet t’i njoh KM? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr?”, thuhet në shënimet e tij. “Përgjigja për KM është: Nuk i organizoj protestat, po as nuk më intimidon dot me këto sajesa që i përbuz me neveri. Fuckin’ grow up, ku ju del koha të merreni”, shkruan ai.
Erion Veliaj reagon publikisht nga burg: Turp që kryeministri merret me internime! Rama negocion me prokurorët sa vite te dënohem? Hera fundit si baba? Kërcënim!