E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje aleatësh në Jemen, Emiratet tërhiqen pas ultimatumit 24-orësh dhe bombardimit saudit

Lufta e gjatë në Jemen ka marrë një kthesë dramatike këtë të martë, duke shënuar një thyerje të hapur mes dy fuqive kryesore të koalicionit anti-Houthi: Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

Emiratet njoftuan zyrtarisht tërheqjen e forcave të tyre ushtarake nga Jemeni, një vendim që vjen pas një ultimatumi të prerë nga Këshilli Presidencial i Jemenit (i mbështetur nga Riadi) dhe pas një sulmi ajror saudit ndaj një dërgese të dyshuar armësh.

Pika kritike e përshkallëzimit ishte bombardimi i portit jugor të Mukallas nga aviacioni saudit. Në një deklaratë të rrallë dhe të ashpër, ushtria saudite pretendoi se kishte goditur një dërgesë që vinte nga Fujairah (EBA), e cila sipas tyre përmbante “sasi të madhe armësh” për separatistët e Këshillit Tranzicional Jugor (STC).

“Ekuipazhi kishte çaktivizuar pajisjet e gjurmimit. Dërgesa ishte një kërcënim i menjëhershëm,” thuhej në deklaratën e Riadit.

Nga ana tjetër, Abu Dhabi mohoi kategorikisht dërgimin e armëve, duke pranuar vetëm transferimin e automjeteve. Ministria e Jashtme e Emirateve bëri thirrje për “përmbajtje dhe mençuri”, ndërsa mohoi akuzat për nxitjen e konfliktit.

Ultimatumi 24-orësh

Reagimi politik ishte i menjëhershëm. Udhëheqësi i Këshillit Presidencial të Jemenit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe mori dy vendime drastike:

Anulimin e paktit të mbrojtjes me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ultimatumin për largimin e forcave të EBA-së nga territori jemenas brenda 24 orëve.

Gjithashtu, u vendos një ndalim 72-orësh për të gjitha kalimet kufitare që nuk kanë miratimin e Riadit.

Lufta e “Proxy”-ve

Ky zhvillim nxjerr në pah tensionet e fshehura prej kohësh mes dy shteteve të Gjirit. Ndonëse të dyja luftojnë kundër rebelëve Houthi (të lidhur me Iranin), ato mbështesin fraksione rivale brenda kampit tjetër: Arabia Saudite mbështet qeverinë qendrore (Këshillin Presidencial), ndërsa Emiratet janë mbështetësi kryesor i separatistëve të jugut (STC).

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve deklaroi se tërheqja po bëhet për shkak të “zhvillimeve të fundit”, pa specifikuar një kalendar të saktë, duke lënë të hapur pikëpyetje mbi të ardhmen e operacioneve kundër terrorizmit në rajon.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›